Spektakël në derbin e madh të Zvicrës, 4 gola nga shqiptarët! Xhaka shkëlqen me dy asiste

Shqiptarët bëjnë “ligjin” në derbin e madh të Zvicrës mes Zyrihut dhe Bazelit që përfundoi me rezultatin 2-4. Plot katër gola mbajnë firmën e futbollistëve shqiptarë, ndërkohë që Taulant Xhaka shkëlqeu me dopietë asistosh.
Sulmuesi Andi Zeqiri hapi serinë e golave për Bazelin në minutën e 23-të, ndërkohë që Kryeziu barazoi shifrat për Zyrihun në të 32-tën. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1-1.
Ndërkohë në fragmentin e dytë të ndeshjes, Xhaka asistoi dy herë radhazi për Amdouni dhe Zeqirin në minutën e 53 dhe 57. Males arriti të shënonte golin e katërt për Bazelin në të 60-tën.
Për t’i vendosur “kapak” sfidës mendoi Blerim Xhemaili, i cili në minutën 90+3’ shënoi nga pika e bardhë e penalltisë për skuadrën e Zyrihut.
Pas javës së gjashtë, Zurichu gjendet në vendin e fundit (dhjetë) me dy pikë, ndërsa Baseli në të shtatin me katër më shumë.
Kujtojmë se numri i lojtarëve shqiptarë që luajnë në elitën e Zvicrës është shumë i madh këtë sezon, për të mos folur pastaj për kategoritë e tjera.





