Të maskuar dhe me armë, tre persona grabisin filialin e bankës në Koplik

Filiali i një banke private të nivelit të dytë në Koplik ka rënë pre e grabitjes pasditen e sotme. Ngjarja ka ndodhur në orën 14.00 dhe autorët kanë qenë tre.
Ata kanë shkuar në ambientet e bankës “Banka Kombëtare Tregtare” dhe nën kërcënimin e armës kanë grabitur sasi parash. Sipas burimeve, autorët kanë qenë të maskuar dhe janë larguar me shpejtësi.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë vënë në ndjekje të autorëve. Në dalje të Koplikut, është gjetur një mjet tip “Golf”, i djegur. Ai dyshohet se u përket autorëve të grabitjes.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Gjithashtu, nga ana e grupit hetimor janë duke u pyetur dhe punonjësit e bankës “BKT”, nëse ata mund të japin ndonjë detaj të vlefshëm që të çojë në identifikimin e autorëve.
Edhe shuma e parave që është grabitur nuk është specifikuar ende.







