Thirrjet për arrestimin e Metës lënë pa gjumë Kryemadhin, kryetarja e LSI reagon sërish: Rama kërkon të mbrojë Veliajn

Asambleja e Partisë Socialiste ka trazuar sot gjithë politikën shqiptare. Kryeministri Edi Rama i kërkoi drejtpërdrejt SPAK-ut që të hetojë Sali Berishën dhe Ilir Metën. Deklaratat e tij kanë sjellë valë reagimesh.

Presidenca reagoi me anë të zëdhënësit të saj, ndërkohë që ndër të parat që ju përgjigj ishte Monika Kryemadhi. Por duket se Rama ja ka prishur gjumin çiftit presidencial, pasi Monika Kryemadhi ka reaguar sërish. Sipas saj halli i Ramës është te inceneratorët. Sipas një postimi në rrjetet sociale, Kryemadhi shprehet se Rama kërkon të mbrojë Veliajn.

“Ja pse kryeministri Edi Rama po ushtron presion ndaj prokurorisë speciale anti korrupsion (SPAK), e ngritur nga Reforma në Drejtësi e vitit 2016. Atij i duhet të mbrojë kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj nga prokuroria, për rolin e tij në aprovimin në kundërshtim me Ligjin e Vetëqeverisjes Vendore, të koncesionit 30 vjeçar të inceneratorit të Tiranës. Firma e Veliaj është provë e qartë korrupsioni, ndërsa presioni i Ramës ndaj drejtësisë është sulm i qartë kundër integritetit të saj. Rruga e Shqipërisë drejt BE kërkon drejtësi të pavarur dhe fundin e pandëshkueshmërisë të korrupsionit në nivelet e larta”, shkruan ajo.