Tifozët e Chelsea e respektojnë Brojën pas golit njësoj si të ishte një legjendë (video)

Armando Broja gjeti për herë të parë në karrierën e tij rrugën e rrjetës me fanellën e Chelseat. Futbollisti i kombëtares që është pjesë e Bluve të Londrës prej vitit 2009, shënoi në minutën e 90-të në ndeshjen ndaj Wolverhampton teksa lëvizi mjaft bukur në hyrje të zonës kundërshtare dhe me një goditje preçize mposhti portierin Jose Sa.

Kaq mjaftoi dhe në stadiumin Stamford Bridge u rrit ndjeshëm atmosfera teksa pas përfundimit të sfidës, sulmuesi i Shqipërisë mori duartrokitje të shumta nga tifozët londinezë për lojtarin e dalë nga academia e Chelseat.SHIH VIDEON

Ndeshja ndaj Wolverhampton në Stamford Bridge, do të mbahet mend gjatë nga Armando Broja. Pikërisht, ndaj “Ujqërve”, sulmuesi i kombëtares realizoi golin e parë me fanellën e Bluve të Londrës teksa lëvizi bukur në hyrje të zonës dhe me një të djathtë preçize ndëshkoi portierin Jose Sa.

Veprimi spektakolar i 21-vjeçarit u reflektua edhe në notat e ndeshjes teksa sulmuesi u vlerësua me notën tetë, ndërsa “Football.London” thekson se Broja i ofron Chelseat një pikë referimi në sulm si askush tjetër.

“Broja vazhdon t’i dhurojë Chelseat një pikë referimi si askush tjetër. Sapo u aktivizua shkaktoi pështjellim në mbrojtjen e “Ujqërve”, më pas te goli, ishte autor i një veprimi spektakolar që solli realizimin e parë me fanellën e Chelseat. Nota tetë”, përfundon përshkrimi për ndeshjen e Brojës.

Ndërkohë, vetë sulmuesi i Shqipërisë, pas ndeshjes theksoi se kishte pritur shumë gjatë për golin e tij të parë me Chelsean. “Është një moment shumë i pabesueshëm. Kam pritur kaq gjatë për golin tim të parë ne Chelsean, tani jam shumë i emocionuar dhe nuk mund të flas më shumë”, tha Broja.