Tonali “vulos” një tjetër hap drejt titullit të Milanit

Tashmë kampionati është vetëm dy hapa larg, për Milanin. Kuqezinjtë marrin tre pikë të arta në Verona duke mposhtur 1-3 një ekip solid si ai i drejtuar nga ish-juventini Igor Tudor, që mund të përbënte një pengesë drejt triumfit final.

Diçka e tillë u realizua në pjesën  e parë, ku një lojë e ekuilibruar pa pikërisht Veronën në avantazh falë një aksioni të bukur të finalizuar nga Faroni në minutën 38.

Por aty doli edhe një herë në pah një cilësi ndoshta unike të Milanit, që po bën diferencën në këtë kampionat. Ekipi i drejtuar nga Stefano Pioli nuk humb kurrë besimin në aftësitë e saj, edhe gjatë vështirësive, dhe e tregoi edhe sot. Protagonistë absolutë ishin Rafael Leao dhe Sandro Tonali.

Në sekondat e fundit të pjesës së parë, portugezi jep asist për italianin duke barazuar rezultatin, ndërkohë që në minutat e para të pjesës së dytë, një aksion pothuajse fotokopje i dhuron “Djajve” të  Milanit avantazhin.

Kuqezinjtë menaxhojnë mirë minutat e fundit, madje godasin serish me anë të Florenzit, duke kaluar me 2 pikë Interin, kur mungojnë ende dy ndeshje nga përfundimi i një sezoni të magjishëm.