Ulen me 9% komisionet për shitësit e siguracioneve

Hyrja në fuqi e Rregullores së miratuar nga AMF “Për komisionet e ndërmjetësimit”, e cila përcaktonte se nga data 1 janar 2022 komisioni i ndërmjetësimit nuk mund të ishte më i lartë se 20% e primit të shkruar bruto për produktet e sigurimit të detyrueshëm, ka sjellë menjëherë impakt me ulje të ndjeshme të komisioneve në tregun e sigurimeve.
Komisionet e ndërmjetësimit janë pagesat që shoqëritë e sigurimit u japin agjentëve të tyre ose brokerave (ndërmjetësve) në rastet e shitjes së policave (kontratave) të sigurimit.
Bazuar nga të dhënat teknike dhe financiare, të raportuara nga shoqëritë e sigurimit, për tremujorin e parë të vitit 2022, rezulton se komisionet e ndërmjetësimit për sigurimin e detyrueshëm motorik (TPL, kufitare, Karton Jeshil) kanë zbritur në një mesatare tregu prej 18.5%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar këto komisione ishin në masën 27.5%. Ndërkohë mesatarja e viteve të fundit për këto komisione, përpara kufizimit të tyre me rregullore nga Autoriteti, ishte në masën rreth 28%.





