Vetëm 4 minuta në fushë dhe sulmuesi kuqezi shënon golin e radhës në Kroaci (video)

Vetëm 4 minuta në fushë i mjaftuan sulmuesi shqiptar, Indrit Tuçi, për te gjetur rrugën e rrjetës në elitën e futbollit kroat me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit në duelin ndaj Sibenikut të vlefshëm për javën e 12-të të kampionatit.

Shqiptari u hodh në fushë në minutën e 64-t, teksa në të 68-tën, arriti të tundte rrjetën duke kaluar përkohësisht në avantazh Lokomotivën e Zagrebit.

Miqtë nuk u dorëzuan deri në fund, ndërkohë që barazuan shifrat me Salomon në 90+1’. Vlen të theksohet fakti se skuadra e Tucit mbeti me 10 lojtarë në minutën e 75-të, kur Males mori kartonin e dytë të verdhë.

Titullarë në këtë duel për skuadrën kryeqytetase u aktivizua edhe shqiptari tjetër Jon Mersinaj. Në 12 javë kampionat Lokomotiva e Zagrebit ka arritur të sigurojë vetëm 10 pikë, duke u renditur në vendin e 8-të.

Ish-sulmuesi i Skënderbeut, Blerim Krasniqi, ka gjetur sërish rrugën e rrjetës në elitën e futbollit rumun. 26-vjeçari u transferua në merkaton e verës te skuadra e Miovenit, arriti të shënonte në minutën e 21-të, në duelin ndaj Voluntarit, ku skuadra e tij u mposht me rezultatin 3-1.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Damaskan, ndërkohë që Krasniqi barazoi përkohësisht rezultatin. Bomberi nga Kavaja, nuk fali brenda zonës, pas një harkimi të Radeskut.

Në fund të pjesës së parë, Voluntari gjeti sërish rrugën e rrjetës me anë të Goveas, ndërkohë që Achim, vulosi triumfin 3-1 në minutën e 59-të. Ky ishte goli i dytë në 6 ndeshje për shqiptarin, i cili po shndërrohet në protagonist te skuadra rumune.