Vllaznia i jep leksion Tiranës, shkodranët fitojnë klasiken e parë të sezonit

Java e tretë e Superiores ka startuar me triumfin e Vllaznisë në kryeqytet ndaj Tiranës me shifrat 1-2. Shkodranët arrijnë të fitojnë Klasiken e Shqipërisë falë golave të Herald Markut dhe Kaina Nunez të realizuar në pjesën e parë, ndërsa goli i Redon Xhixhës në fraksionin e dytë shërbeu vetëm për statistikë. 90-minutëshi i Selman Stermasit prodhoi edhe dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër.

Të parët që mbeten në inferioritet numerik ishin bardheblutë pas ndërhyrjes së gabuar të Zhivanajt në zonë ndaj Kainës teksa mbrojtësi la të tijtë me 10 vetë, por edhe shkaktoi penalltinë e shndërruar në gol nga Marku. Në pjesën e dytë, Marku gaboi duke u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrje ndaj Deliut. Gjithsesi, në fund, të besuarit e trajnerit Mirel Josa e menaxhuan avantazhin, edhe pse vendasit patën disa herë mundësinë për të barazuar.

Pas këtij triumfi, Vllaznia ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve dhe renditen të dytët, ndërsa nga ana tjetër, Tirana mbetet në kuotën e katër pikëve në vend të katërt teksa pëson disfatën e parë të sezonit.

47’’ GOOOL TIRANA! Harkim nga e i djathta i Hasanit i cili gjen Xhixhën, ky i fundit nuk gabon me gjuajtjen me kokë duke çuar sferën në rrjetë e rihapur ndeshjen.

29′ GOOOL VLLAZNIA! Pas një goditje këndi, Kaina me kokë i vetëm në zonë nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë.

22’ GOOOL VLLAZNIA! Zhivanaj mban me duar në zonë Kainën, që del i vetëm me portierin dhe rrëzohet. Arbitri Jorgji jep penallti për për Vllazninë dhe karton të kuq për mbrojtësin e Tiranës. Nga pika e bardhë godet saktë me të majtën Herald Marku dhe 0-1.