Zbulohet lista me 25 emrat për miqësoren ndaj Arabisë! 10 vijnë nga jashtë, 15 nga Superiorja

Për miqësoren kundër Arabisë Saudite, në 26 tetor, Edoardo Reja dhe FSHF kanë një strategji të re. Idea është të shohin lojtarët më të spikatur në kampionatin e Superiores, të plotësuar me disa emra të thirrur nga jashtë.
Kështu, sipas RTSH Sport është zbuluar tashmë lista me 25 emrat që do të udhëtojnë për në Abu Dhabi për këtë sfida, dhjetë nga të cilët luajnë jashtë Shqipërisë, përfshirë tre portierët.
Etrit Berisha i Torinos, Elhan Kastrati i Cittadellas e Gentjan Selmani i Boluspor do të mbrojnë shtyllat kundër sauditëve. Nga kampionati turk janë thirrur Bekim Balaj e Odise Roshi. Në vendet në konflik mbërrijnë tre lojtarë: Ardit Toli e Taulant Seferi nga Ukraina e Mario Mitaj nga Rusia.
Arbnor Muçolli e Sokol Cikalleshi që është më i familjarizuari në këtë miqësore duke qenë se luan në Arabi, kompletojnë 10 lojtarët që luajnë në kampionatet e huaja.
Ndeshja me Arabinë Saudite e kushtëzon jo pak trajnerin italian për faktin se data 26 nuk është e lirë nga FIFA në kalendarin zyrtar dhe në këtë pikë 77-vjeçari është mbështetur shumë në Superiore.
Lista ka emrat më në formë. Rekordin e mban Partizani me 4 emra të grumbulluar që janë Eneo Bitri, Andi Hadroj, Arinaldo Rrapaj dhe Xhuliano Skuka, ndërsa Tirana prezantohet me Xhixhën, Deliun e Kallakun. Po tre emra do të bashkohen edhe nga Vllaznia ku janë thirrur Gurishta, Hakaj e Mala por elementë interesantë Reja ka gjetur edhe tek Teuta ku kanë marrë ftesë Albion Marku e Lorenco Vila.
Duke parë se jemi në një sezon të ngjeshur e në të cilin dëmtimet janë prezent, italiani është treguar i kujdesshëm. Lista B, ose më saktë ajo e pritjes e hartuar nga Reja vlen nëse disa nga lojtarët e thirrur do të tërhiqen. Ismajlgeci i Tiranës është një njohje ‘e vjetër’ e italianit. Por Herald Marku e Tedi Cara do të ishin debutues.





