ZYRTARE: Aldo Teqja largohet nga Partizani, por mbetet në Superiore

Partizani mendon për të tashmen dhe të ardhmen. Klubi i kuq, vetëm pak orë para mbylljes së merkatos verore, ka zyrtarizuar firmën me një 19-vjeçar me perspektivë. Bëhet fjalë për Marçelino Prekën që do të jetë pjesë e të kuqve deri në vitin 2026.
Njoftimi i Partizanit: “Partizani njofton arritjen e transferimit të lojtarit Marçelino Preka. Mbrojtësi i talentuar 19-vjeçar bashkohet me të kuqtë pas eksperiencës pozitive me ekipin e Bylisit.
Preka, i cili është njëkohësisht kontigjent i ekipit tonë përfaqësues U-21, do të jetë pjesë e të kuqve për 4 sezonet e ardhshme me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit.”
Ndërkohë pak minuta më parë, klubi i kuq ka njoftuar se portieri Aldo Teqja është huazuar te mallkastriotët. Një lëvizje disi e papritur kjo.
Kështu Partizani ka zgjedhur të sakrifikojë Teqjen dhe të mbajë dy portierët e tjerë Bekim Rexhepin dhe të zakonshmin Alban Hoxha.
“FK Partizani zyrtarizon trasferimin me formulën e huazimit të Aldo Teqjas drejt KF Bylis. Marrëveshja mes dy klubeve për huazimin e portierit është konkretizuar sot dhe Teqja do të jetë lojtar i KF Bylis deri në përfundim të sezonit futbollistik 2022-2023”, thuhet në njoftimin e klubit të kuq.





